-Kryesori nga kosovarët në AKM në kohën e UNMIK para 11 viteve: Historiati i ndërtesës së Rilindjes pas lufte është një odisejadë e vërtetë/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI
PRISHTINË, 29 Janar 2016/ Zëvendësdrejtori i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit – AKM ( tash Agjenci Kosovare e Privatizimit – AKP), Ahmet Shala, kryesori nga kosovarët në këtë Agjenci në kohën e UNMIK-ut, në intervistë ekskluzive për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, të botuar në numrin e jashtëzakonshëm protestues të para 11 viteve – në 24 maj 2005, mes tjerash, theksonte:
Historiati i ndërtesës së Rilindjes pas lufte është një odisejadë e vërtetë. Menjëherë pas ’99-ës ajo ishte nën menaxhimin e UNMIK-ut (Shtyllës së Dytë). Më vonë iu dha OSBE-së dhe më pastaj prapë UNMIK-ut. UNMIK-u ia dha Ministrisë së Shërbimeve Publike, dhe kështu kalojnë rreth 4 vjet. Gjatë gjithë kësaj kohe asnjë investim. Sido që të jetë, tani ajo ndodhet nën kompetencat e AKM-së.
Rilindjen do ta lexoja me ëndje çdo ditë dhe këtë e dëshroj ta kemi sa më shpejt. Gjithashtu ju falënderoj që gazeta, institucioni juaj, mbështet procesin e privatizimit, si një proces shumë i rëndësishëm për rilindjen e Kosovës, të ardhmen e saj, e besoj edhe të gazetës suaj Rilindja.
Ja intervista e plotë:
Intervistë ekskluzive e zv. drejtorit të AKM-së, Ahmet Shala, dhënë gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja
***
PRIVATIZIMI ËSHTË PROCES DHE STANDARD SHUMË I RËNDËSISHËM PËR TË ARDHMEN E KOSOVËS
-Vendimi meritor për Rilindjen do të merret në Bordin e AKM-së, shpresoj së shpejti/
Zëvendësdrejtori i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), Ahmet Shala, në intervistë ekskluzive për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, vlerësoi se me dinamizimin e procesit të privatizimit do të arrihet sukseshsëm në obejektivat e reja të AKM-së . Ai tha se procesi i privatizimit është shumë i rëndësishëm jo vetëm për standardet, por edhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, si dhe për një ndryshim struktural të ekonomisë së saj. Në pritjen për kryetarin e Këshillit Drejtues e kryeredaktorin e Rilindjes, Behlul Jashari, me ç’rast dha intervistën, z. Shala tha se Rilindja në bazë të gjithë dokumentacionit që ka sigurisht se do të trajtohet si ndërmarrje shoqërore dhe për të do të merret vendimi meritor, beson së shpejti, në Bordin e AKM-së.
1.RILINDJA: Në proceset që po kalon Kosova në përmbushjen e standardeve, a do të arrihet suksesshëm edhe në objektivat e procesit shumë të rëndësishëm të privatizimit. Cilat janë pritjet dhe angazhimet e AKM-së?
AHMET SHALA: – Natyrisht që procesi i privatizimit është shumë i rëndësishëm jo vetëm për standasrdet, por edhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, si dhe për një ndryshim struktural të gjithë ekonomisë kosovare. Shpresojmë se me frymën e re që ka ardhur si rezultat i ndryshimeve kadrovike që nga kreu i UNMIK-ut deri në Shtyllën e Katërt, si dhe ca ndryshimeve ligjore, do të jemi në gjendje të dinamizojmë këtë proces dhe besoj se për një periudhë njëvjeçare mund të rrumbullakësojmë përafërsisht shumicën, apo siç është thënë, rreth 90 për qind të privatizimit. Natyrisht se kjo do të varet edhe nga shumë faktorë dhe institucione jashtë AKM-së.
2.RILINDJA: Për këtë është edhe paralajmërimi optimist i shefit të Shtyllës IV të UNMIK-kut, z. Joakim Ryker, se do të privatizohen 90 për qind të vlerave të ndërmarrjeve shoqërore brenda një viti, që ka rezultuar me një dinamizim i cili çoi në shpalljen e rrethit të pestë të privatizimit që përfshin 15 ndërmarrje. Si vlerësohet në AKM ky dinamizim dhe a priten së shpejti edhe raunde të reja privatizimi?
AHMET SHALA: – Për më shumë se një vit stafi i AKM-së thjesht ka qenë në një situatë shumë të vështirë. Nga njëra anë, nën presionin e brendshëm dhe, në anën tjetër, nën presionin e publikut dhe të institucioneve vendore e ndërkombëtare se nuk po bëjmë mjaft për të ristartuar këtë proces kaq të rëndësishëm. Ky presion dhe situata e krijuar si rezultat i tij ka lënë pasojat e veta. Por besoj se jemi shpejt duke tejkaluar atë gjendje. Ndryshimet që janë bërë në Rregulloren e AKM-së, sidomos këto që u nënshkruan me 24 prill 2005, neve na mëndësojnë të ecim shpejt përpara. Siç jeni të informuar, para dy jave kemi shpallur raundin e pestë, ndërsa tani në fund të majit presim të shpallim edhe të gjashtin. Jemi duke përgatitur planin që çdo muaj të kemi një raund dhe besoj se Bordi i AKM-së do ta miratojë atë në njërën nga mbledhjet e ardhshme.
3.RILINDJA: Në mbledhjen e fundit të Bordit të AKM-së është arritur pajtueshmëri edhe për projektet e korporatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës dhe të Aeroportit të Prishtinës. Çka do të sjellë korporatizimi në këto ndërmarrje dhe përgjithësisht në ndërmarrjet publike?
AHMET SHALA: – Këtu nuk do të thellohem shumë, meqë kjo është në fushën tjetër të AKM-së, pra në sektorin e ndërmarrjeve publike. Por, megjithatë, mund të konstatoj se procesi i korporatizimit, përkatësisht i shndërrimit të këtyre ndërmarrjeve nga një, nëse mund të them, grumbull asetesh apo dokumentesh, në institucione legale dhe komerciale, me strukturë moderne qeverisëse dhe menaxhuese, do të mundësojë që qoftë KEK-u, PTK-ja, Aeroporti etj. të kenë qasje ndaj institucioneve financiare vendore dhe ndërkombëtare apo partnerëve të ndryshëm strategjikë për realizimin e planeve të tyre zhvillimore dhe në këtë mënyrë të ngrisin efikasitetin e tyre shërbyes apo prodhues, të kenë një nivel tjetër menaxhues dhe konkurrues në tregun vendor, rajonal e më gjerë.
4.RILINDJA: Firma shqiptaro-amerikane “Adi Nikel” është shpallur fituese e përkohshme e tenderit për Ferronikelin në konkurrencë me kompaninë “Alferon” nga Britania e Madhe. Në ceremoninë e rastit u tha se paraqitja e investitorëve të jashtëm është edhe një tregues për imazhin e Kosovës dhe se tani është momenti i duhur për investime, për të marrë pjesë në të ardhmen ekonomike të Kosovës. Ju lutem, çka mund të na thoni edhe më shumë lidhur me këtë, cilat janë perspektivat e investimeve në procesin e privatizimit në Kosovë?
AHMET SHALA: – Gjatë diskutimeve për tenderët që ende nuk kanë përfunduar, ne gjithnjë përpiqemi të jemi të kujdesshëm në dhënien e deklaratave publike sa i përket cilësdo informatë e cila nuk ka marrë formën përfundimtare të saj. Prandaj, do të jem i kujdesshëm në çfarëdo komentimi sa i përket fituesit final. Shpallja e fituesit final është në fazën e procedurave normale të vendimmarrjes. Sipas rregullave në fuqi, në këtë fazë AKM-ja është e obliguar të shpallë emrat e tenderuesve vetëm me kode, siç ka qenë për Ferronikelin nr. PF11 dhe PF12 . Do të doja të komentoja se e rëndësishme është se për Ferronikelin ka pasur firma ndërkombëtare të niveleve të larta, të cilat kanë paraqitur oferta inkurajuese e për të cilat Bordi i AKM-së në mbledhjen e ardhshme, dhe besoj edhe në takimet e tjera para dhe pas kësaj mbledhjeje, do të diskutoj në hollësi të gjitha elementet e rëndësishme për të zgjedhur fituesin përfundimtar konform procedurave të shpallura. Dhe, pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat ne do të jemi në gjendje të informojmë opinionin për detajet. Natyrisht, për aq sa lejojnë rregullat në fuqi.
5.RILINDJA: Është edhe çështja e sigurisë së investimeve në Kosovë dhe e perspektivës së këtyre investimeve në procesin e privatizimit…
AHMET SHALA: – Shihet se investorët e huaj për çdo ditë e më tepër po e rrisin besimin për të investuar në Kosovë. Kjo neve na inkurajon që të gjithë së bashku, pra edhe institucionet ndërkombëtare, edhe Qeveria e Kosovës, të bëjmë gjithçka që është e mundur për të përmirësuar imazhin e Kosovës në rajon dhe në botë . Duhet të jemi të vetëdijshëm se Kosova tani gjendet në një konkurrencë rajonale relativisht të ashpër. Proceset e privatizimit dhe proceset e tjera investuese janë duke ndodhur edhe në shtet fqinje, si në Maqedoni, në Shqipëri, në Bosnjë, në Serbi, në Rumani, në Bullgari etj. Nëse dëshirojmë të inkurajojmë investitorë të jashtëm duhet të jemi të shpejtë në vendime dhe joshës për investime. Përndryshe ata ikin dhe pastaj…? Kur shikohet ky rajon kaq i vogël me kaq shumë telashe në të kaluarën dhe shumë çështje të pazgjidhura për momentin, nga perspektiva globale është sikur kur shikon ca supermarkete njëri pranë tjetrit. E gjithë shkathtësia jonë qëndron se si ta bëjmë ’supermarketin’ tonë më atraktiv ndaj klientit (konsumatorit). Pra, si ta bëjmë Kosovën atraktive për investitorët seriozë ndërkombëtarë është pyetja dhe përkushtimi ynë i përditshëm që duhet t”i japim përgjigjie të qartë dhe të shpejtë. Fatmirësisht çdo ditë e më shumë në Bruksel, në Londër, në Nju Jork, Uashington e gjetkë, por edhe në vendet e rajonit, ka filluar të flitet dhe të mendohet ndryshe për Kosovën, për imazhin dhe të ardhmen e saj. Ky është një moment i ri që ne duhet ta shfrytëzojmë dhe të punojmë pa lodhje për të.
6.RILINDJA: Njerëzit në Kosovë janë shumë të interesuar për efektet e privatizimit, duke pritur një ringjallje të ekonomisë, riaktivizim të punës së ndërmarrjeve, një zhvillim dhe punësim. Cilat janë përvojat e para të ndërmarrjeve të privatizuara dhe si e sheh AKM-ja të ardhmen e Kosovës me ndërmarrje shoqërore të privatizuara, me ndërmarrje publike të korporatizuara?
AHMET SHALA: – Ne si AKM kemi obligim që të përcjellim për një kohë të caktuar vetëm ndërmarrjet e privatizuara me Spin Off special. Ky obligim është dy deri në tri vjet, varësisht se sa është kohëzgjatja e afatit të përmbushjes së obligimeve që janë në kontratë. Ndërkaq, janë institucionet e Qeverisë së Kosovës, pra Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe institucionet e tjera, të cilat merren me analiza për të përcjellë efektet e procesit të privatizimit. Deri më tani, në bazë të informacioneve që kemi, mendoj se në shumicën e këtyre ndërmarrjeve të privatizuara ka filluar një këndellje, një menaxhment i ri, një përpjekje për të gjetur një segmentim të ri në treg, qoftë me produktet apo shërbimet që i ka pasur ndërmarrja në të kaluarën, apo me produkte e shërbime të reja. Shpresojmë dhe urojmë që edhe politikat fiskale, doganore, bankare etj. të jenë në favor të një zhvillimi të shpejtë e të qëndrueshëm ekonomik, social dhe politik. Natyrisht, këtu duhet pasur parasysh se Kosova më nuk do të ndërtojë një sistem të mbylljes, siç ka qenë, por do të ndërtojë një ekonomi të tregut të hapur. Andaj, konform këtij modeli duhet gjetur hapësirë për t’u përkrahur sektorë të caktuar. Besoj se Qeveria e Kosovës me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare do t’i integrojë kërkesat e afaristëve kosovarë dhe startegjitë zhvillimore, konform përparësive komparative që ka Kosova në planet e veta afatgjata dhe afatmesme zhvillimore.
7.RILINDJA: Cila është e ardhmja e vetë punëtorëve të ndërmarrjeve të tashme shoqërore dhe përfitimet e tyre nga privatizimi?
AHMET SHALA: – Procesi i privatizimit në Kosovë zhvillohet në një situatë kur shkalla e papunësisë është mbi 60 për qind, kur një armatë e tërë të rinjsh presin për punë. Në anën tjetër, kemi punëtorë të cilët kanë kaluar një moshë të caktuar nëpër ndërmarrjet shoqërore, të cilat tanimë kanë “vdekur”, ndërsa buxheti i Kosovës nuk mund t”u dalë në ndihmë. Në të njëjtën kohë ne nuk mund t”i ngarkojmë investitorët me këto probleme. Është, pra, një situatë relativisht e rëndë, se cilit faktor t’i japim përparësi. T”u japim përparësi pra të rinjëve, apo ngarkimit të investitorëve me këtë shtresë të punëtorëve, që vërtet vështirë e kanë për t’u adaptuar në teknologjitë e reja, në stilet e reja të menaxhimit dhe të punës, por të cilët vërtet kanë nevojë për përkrahje materiale sistematike. Në këtë konkurrencë faktorësh jemi përpjekur të vijmë te një model i cili deri në një masë të caktuar balancon këto gjëra. Jeni të informuar se 20% të vlerës së shitjes së një ndërmarrjeje shkon te punëtorët në formë të parave të gatshme. Ata kanë të drejtë që nëse ndërmarrja shoqërore u ka mbetur borxh ndonjëherë të paraqesin ankesë te Oda Speciale dhe nëse kanë argumente mbase mund të kompensohen. Në këtë përpjekje edhe Qeveria ka aprovuar Ligjin e pensionimit të parakohshëm. Këto janë disa nga masat që janë marrë që sadopak të zbutet gjendja e rëndë sociale që karakterizon këtë shtresë të popullësisë.
8.RILINDJA: Z. Shala, një nga ndërmarrjet dhe pronat shoqërore është Rilindja dhe Pallati i saj, ju jeni të njofuar çka ndodhi me të. Dëbimin nga lokalet tona të punës ne në Rilindje e kemi kundërshtuar si një shkelje të rëndë të të drejtës së një ndërmarrjeje e të punëtorëve të saj dhe kemi kërkuar rikthimin e të drejtës legjitime. Mbi 90 dokumente që ua kemi paraqitur institucioneve të Kosovës, UNMIK-ut, AKM-së dhe gjykatës, dëshmojnë se Rilindja ishte edhe investitore dhe udhëheqëse e punimeve në Pallat, duke dhënë për investime edhe objektin ku aktualisht është Gjykata Komunale e Prishtinës dhe Enti i Statistikës i Kosovës, e që sipas fletë-posedimit ende është në pronësi të Rilindjes. Lidhur me këtë AKM-ja përmes një letre I është drejtuar Qeverisë dhe ajo ka marrë vendimin për ndërprerjen e punimeve në Pallat. Këtë Rilindja e ka përshëndetur si një hap konkret për rikthimin e të drejtës së saj. Ju lutem si e sheh zgjidhjen AKM-ja në këtë rast?
AHMET SHALA: – Historiati i ndërtesës së Rilindjes pas lufte është një odisejadë e vërtetë. Menjëherë pas ’99-ës ajo ishte nën menaxhimin e UNMIKut (Shtyllës së Dytë). Më vonë iu dha OSBE-së dhe më pastaj prapë UNMIK-ut. UNMIK-u ia dha Ministrisë së Shërbimeve Publike, dhe kështu kalojnë rreth 4 vjet. Gjatë gjithë kësaj kohe asnjë investim. Sido që të jetë, tani ajo ndodhet nën kompetencat e AKM-së. Siç është i njoftuar opinioni, Rregullorja e AKM-së ka pësuar ca ndryshime pozitive. Më 24 prill 2005 është shtuar një amendment në të cilin thuhet se të gjitha ndërmarrjet të cilat kanë qenë të regjistruara si ndërmarrje shoqërore deri më 31 dhjetor të vitit 1988 kanë statusin e ndërmarrjeve shoqërore dhe Agjencioni Kosovar i Mirëbesimit ka të drejtë t’i privatizojë. Ndryshimet statusore apo ato pronësoro-juridike të tyre që kanë ndodhur pas kësaj date, nuk do të jenë pengesë për të privatizuar këto ndërmarrje. Andaj, Rilindja në bazë të dokumentacioneve që ka, sigurisht se do të trajtohet si ndërmarrje shoqërore. Vendimin për ta privatizuar atë, si duhet privatizuar atë, apo çka duhet bërë me të, natyrisht, është kompetent ta marrë Bordi i AKM-së konform procedurave dhe rregullave në fuqi. Besoj tash, pas një, nëse mund të them, jete të rregullt të Bordit të AKM-së, ku do të ketë mbledhje të rregullta mujore, edhe Rilindja do të trajtohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme dhe do të vendoset për të ardhmen e saj. Natyrisht, ne do t’i shqyrtojmë të gjitha opcionet në bazë të informacioneve që ju keni sjellë deri më tani dhe të tjerave të nevojshme, do t’i prezentojmë në Bord dhe ai do të marrë vendim meritor.
9.RILINDJA: Rilindja ka bërë edhe kërkesën që në procesin e privatizimit të hyjë me Pallatin e rikthyer në gjendje të rregullt, ashtu siç ishte para dëbimit. Është edhe kërkesa për kompensim të dëmeve, dhe për këtë edhe padia në gjyq…
AHMET SHALA: – Menaxhmenti i Rilindjes, institucionet tuaja vendimmarrëse, natyrisht kanë të drejtë për të bërë çfarëdo hapash që konsiderojnë se janë në të mirë të mbrojtjes së pronës shoqërore të këtij institucioni dhe ju jeni absolutisht të lirë për të bërë këtë. Natyrisht, ekzistojnë institucionet profesionale për të vlerësuar çfarëdo dëmi nëse i është shkaktuar këtij institucioni, ndërsa edhe AKM-ja është e obliguar që të mbrojë pronën shoqërore. Andaj, të gjitha këto elemente që ju i përmendni, në qoftë se, për shkak të kompetencave, nuk do të mund të zgjidheshin përbrenda AKM-së ekziston edhe Oda Speciale, në të cilën do të trajtohet edhe kërkesa juaj apo ankesa juaj. Por, megjithatë çështja e Rilindjes shumë shpejt do të vijë në red dite në Bordin e AKM-së.
10.RILINDJA: Z. Shala, falemnderit për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, që del me numra të jashtëzakoshëm edhe në kushtet kur nuk mund të dalë, e mbetur pa asnjë lokal pune, duke ruajtur një organizim e funksionim, emrin dhe traditën, duke shënuar kështu edhe Jubileun e 60-vjetorit të saj, dhe duke pritur një të ardhme të sigurt pikërisht në transformimin e kohës – privatizimin e udhëhequr nga AKM-ja.
AHMET SHALA: – Falemnderit. Ju uroj sukses dhe Jubileun e Rilindjes. Kam respekt të veçantë për Rilindjen si gazetë dhe për stafin tuaj, që edhe në kushtet e reja bën përpjekje të ruhet e të mbështetet diçka tradicionale, diçka që është vlerë dhe që i ka qëndruar kohës. Rilindjen do ta lexoja me ëndje çdo ditë dhe këtë e dëshroj ta kemi sa më shpejt. Gjithashtu ju falënderoj që gazeta, institucioni juaj, mbështet procesin e privatizimit, si një proces shumë i rëndësishëm për rilindjen e Kosovës, të ardhmen e saj, e besoj edhe të gazetës suaj Rilindja.
***
SHËNIM I SOTËM, 29 JANAR 2016: NË PRITJE TË ZGJIDHJES SË DREJTË E TË LIGJËSHME…
Që prej themelimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në vitin 2008 (më parë emërtohej Agjenci Kosovare e Mirëbesimit), qeveria nuk e ka paguar asnjë shpronësim për pronat shoqërore. Deri në 10 shtator 2015 janë marrë gjithësej 555 vendime për shpronësime të pronave shoqërore. Gjatë vitit 2016 parashihet që Agjencia të dërgojë letrat formale me kërkesë për pagesë të këtyre shpronësimeve.
Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati Rilindja tash ndërtesë qeveritare.
Pas shpronësimit dhe në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK para 14 vitesh në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para 7 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”, krahas titullit “Ministri Bajrami: Qeveria do të përkujdeset për Pallatin dhe për punëtorët e Rilindjes, e gatshme ta ndihmojë daljen e gazetës”.
Ky paralajmërim ishte si rezultat i këtij premtimi dhe të drejtës së ligjëshme, duke besuar se Rilindjen do rifillojë të dalë e pёrditshme edhe para privatizimit me statusin qё ka tё ndёrmarrjes shoqёrore, pas pёrfundimt tё rinovimit tё Pallatit Rilindja qё u bё.
Me rastin e rifillimit të punëve për rinovimin e Pallatit të Rilindjes, më 7 nëntor 2008, ministri i atëhershëm i Administratёs Publike, Arsim Bajrami edhe në konferencën e shtypit me atë rast theksonte premtimin për zgjidhjen e ligjshme që do duhej të bëhej edhe për gazetën tradicinale të Kosovës Rilindja.
“Pallatin e Rilindjes përkohësisht e merr Qeveria nën pëkujdesje, ne do të kemi përkujdesje edhe ndaj punëtorëve të Rilindjes. Punëtorët e Rilindjes i kemi pasë pjesë të procesit…” , theksonte ministri Bajrami.
Punimet për rinovimin e Pallatit të Rilindjes rifilluan pasi ai ishte lënë si gërmadhë nga e ashtuquajtura “zhveshje e brendshme”, pas vendimit të qeverisë së Kosovës të datës 15 shkurt 2005 për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”. Kjo pasoi insistimet e vazhdueshme të Rilindjes dhe të Agjencisë Kosovare të Mirbesimit (tash Agjencisë Kosovare të Privatizimit) për pronësinë, si dhe përgjigjen në letrën zyrtare të Rilindjes me shkresë poashtu zyrtare përkrahëse të kreut të UNMIK-ut, kryeadministratorit, Harri Holkeri, në 3 nëntor 2003. Holker në letërën dërguar gazetës Rilindja shkruante edhe se, “UNMIK-u do të bëjë gjithë çka është e mundur për të gjetur lokale alternative në mënyrë që kompania juaj të rifillojë punën në sektorin medial”, duke mbështetur edhe në të drejtën e pronësisë, të shkelur nga kryeadministratori para tij, Hans Haeekerup, në kohën e të cilit gazeta e përditëshme tradicionale e Kosovës Rilindja u dëbua nga Pallati i saj.
Meqë edhe pas rinovimit të Pallatit nuk u përmbushën premtimet dhe nuk u bë zgjidhja e duhur e ligjshme për Rilindjen, kjo gazetë iu drejtua atëherë zëvendëskryeministrit dhe ministrit edhe aktual të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili në përgjigjen me shkresë zyrtare tё datёs 2 maj 2012, shprehte sigurime institucionale në emër të qeverisë dhe personale “pёr zgjidhje tё drejtё dhe ligjore tё problemit tё objektit dhe tё punёtorёve tё Rilindjes”…
…..
Korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari, ishte Kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i Rilindjes nga administrata e UNMIK-ut
↧
KOSOVË – ODISEJADA E PALLATIT DHE GAZETËS RILINDJA
↧